Vetëvendosje në Podujevë ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në hapjen e fushatës e në krah të kandidatit të kësaj partie për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ky i fundit po zotohet se nuk do të ketë më në Podujevë vetëm prerje shiritash, pa spital. Kurti po thotë se që pesë vjet është prerë shiriti për spitalin në këtë komunë, por që ende llapjanët shërbimet duhet t’i marrin në shërbime.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se këdo që e takon në Podujevë është ballëhapur për kandidatin për kryetar që vjen nga partia e tij. Ai tha se angazhohen për një administratë të paanshme dhe të përgjegjshme dhe se në asnjë vend nuk do të ketë punësime me librezë partie apo mbiemër të farefisit.

” As në administratën publike e as në arsim publik e as në shëndetësi komunale nuk do të kemi punësime me librezë partie apo mbiemër të farefisit. Llapi është një komunë me tokë bujqësore por që subvencionet duhet të ndahen në mënyrë të drejtë. Ju e dini që këtu në Podujevë ka që 5 vjet qe pritet shiriti i spitalit, por spitali nuk është askund. 90 mijë banorë duhet të shkojnë në spital të Prishtinës. Ne angazhohemi qe të mos ketë prerje të shiritash pa spital”, tha Kurti.

Kryetari i LVV-së u shpreh se numri i Llapit më zgjedhjet e së diela është numri 12.

“Keni pasur fatin që të keni zgjedhje të parakohshme. Dhe kjo e drejtë demokratike duhet shfrytëzuar që të arrijmë të dalim nga kriza e shumëfishtë jo vetëm shëndetësore po socio-ekonomike. Në këto zgjedhje ka vetëm një kryetar, ai është profesor Shpejtim Bulliqi”, u shpreh Kurti.

E, kandidati për kryetar komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi tha se zgjedhjet në Podujevë do të fitohen nga ata që e duan kombin dhe vendin. E sipas tij fitorja e LVV-së do të jetë hapi i parë i ndryshimit.

” Nëse ju pëlqen se si qeverisëm pas një viti do të na jepni votën sërish, e nëse nuk iu pëlqen nuk do të na votoni. Nuk ka mbetur gjë te ato nuk ka as kuadro e as punë. Rinia ka nevojë për një bibliotekë, që të mund të studiojmë. Rinia ka nevojë për qendër kulturore. Sepse nuk mund të kalojnë kohen vetëm në kafe. Komuna mund të organizojë transportin për studentët në nevojë”, u shpreh Bulliqi.

Veç tjerash, Bulliqi theksoi se ata që e kanë qeverisur deri më tani vetëm kanë prerë shirita, por nuk iu ka interesuar jeta e llapjanëve.

“Ne nuk do të hakmerremi. Për neve nuk ka rëndësi a e voton dikush një tjetër politike. Tash e tutje punësimet do të jenë me konkurse. Kanë me u punësu personat me kritere ligjore, mbi të gjitha unë si Shpejtim do të kem derën e hapur për çdo sugjerim apo kritikë. Ndryshimi sot në Llap pas disa muajve do të përfundojë me fitoren në krejt Kosovën”, theksoi ai.