Kurti në Vjenë: Kosova dhe Serbia të bëjnë deklaratë të paqes

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marr pjesë në Samitin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur në Vjenë nën organizimin e kryeministrit austriak Sebastian Kurz.
Kurti në këtë takim ka folur për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe për qeverisjen e tij që nga marrja e mandatit si kryeministër.
Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.
Kryeministri në një postim në Facebook, ka thënë se në fjalën tij në Samitin e Vjenës, përveç tjerash, ka theksuar se “Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë COVID-19”.
Ai ka thënë se “Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi”.
“Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri edhe në këtë samit ka përsëritur njërën nga katër kërkesat e shprehura në takimin e Brukselit, me presidentin Vuçiq./21Media

Back to top button