Kurti për 28 Nëntor: Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Shqipëria për nder të Ditës së Flamurit tha se çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë.
“Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai më këtë rast pati disa fjalë edhe për Ditën e Forcës e cila u shënua të dielën në Prishtinë.
“Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka uruar Ditën e Flamurit duke bërë thirrje që të bëhemi krah secilit shqiptar.
“Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar”, ka shkruar Kurti./21Media

Back to top button