Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me një video në Facebook ka falënderuar të gjithë ata që punuan gjatë qeverisjes së tij.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë në Kosovë dhe se kanë dëshmuar se mund të qeverisin pa Listën Serbe dhe pa u varur prej saj.

“Sot janë bërë katër muaj që jam zgjedhur kryeministër, kurse nesër nuk do të jem në këtë zyre. Katër muaj qeverisje e mirë, 39 mbledhje të mira të qeverisë, 213 vendime që e kanë bërë shumë më të mirë politikën në Kosovë. Që nga zgjedhjet 6 tetorit, kemi dëshmuar se jemi partia e parë dhe më e madhe në vend dhe Kuvend… Kemi dëshmuar se është e mundur të qeverisësh pa marrëveshje me Listën Serbe dhe duke mos u varur prej saj…” , ka thënë Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook.

Tutje Kurti ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetueses është i papranueshëm dhe se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të detyrës te kryeministri i ri, Avdullah Hoti.

“Me këtë vendim është bërë agresion ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe kanë zhvlerësuar veten e tyre si Gjykatë. Kjo qeveri është e paligjshme, është ‘qeveria koti’, ne jemi qeveria alternative. Nesër nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që u dorëzua edhe te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”, ka porositur Kurti.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media

Katër muaj qeverisje e mirë

Posted by Albin Kurti on Wednesday, 3 June 2020