Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryeministri, Albin Kurti u shpreh se pasditja e sotme ishte para pa simptoma të Covid-19.

I pari i VV-së bëri të ditur se do ta vazhdojë izolimin edhe për disa ditë.

“U jam mirënjohës për kujdesin e mbështetjen dhe u kërkoj falje për pamundësinë që t’u përgjigjem të gjithëve veçmas. Analizat e gjakut më dolën normale. Duket që u nxora nga COVID-19 pa pneumoni. Diciplina është vendimtare. Kam marrë rregullisht ilaçet, kam respektuar udhëzimet dhe këshillat e mjekëve. Kam ajrosur banesën dy herë në ditë nga 10 minuta duke hapur dritaret gjithandej. Kam pirë lëngje e kam marrë vitamina. Çdo tre orë kam matur temperaturën dhe saturimin si dhe kam praktikuar frymëmarrjen e thellë. Nuk kam më kokëdhembje, kollitje dhe as therrje në muskuj.”, shkroi Kurti në facebook.

Ai më tutje theksoi se Covid-19 s’është si gripi i zakonshëm.

“Të gjithë juve qytetarë që jeni të sëmurë nga virusi e ndjeheni të pasigurt, apo juve punëtorë shëndetësor që jeni të dërrmuar nga trajtimi i të sëmurëve, u jam mirënjohës sa s’thuhet për qëndresën, angazhimin e kontributin dhe ju inkurajoj të mos dorëzohemi tash. Nuk e kemi ende vaksinën, por e kemi përvojën që na shërben dhe vullnetin me të cilin shërbejmë.”, shtoi më tutje Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19 më 28 tetor./21Media