Kurti kërkon nga Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga vendet perëndimore të mos i bëjnë presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, kjo është çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Associated Press, Kurti deklaroi se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.

I pari i Qeverisë së Kosovës, deklaroi se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.

Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.
Javëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim evropian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së./21Media
Back to top button