A i ka pranuar Kurti propozimet Escobarit dhe Lajçakut?

(Lajm i përditësuar)

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobari para mediave treguan se ata kishin tri kërkesa për Kurtin.

Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.

“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku.


Escobar: Nuk ka votim të detyrueshëm, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka thënë se respektojnë autoritetin e Qeverisë së Kosovës.

Ai gjithashtu tha se nuk ka votim të detyrueshëm dhe se respektojnë strukturën kushtetuese të Kosovës.

“Sa i përketë zgjedhjeve, ne e respektojmë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës dhe nuk ka votim të detyrueshëm në këtë shtet. Por, një gjë është e qartë, pra që duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe harmonia mes grupeve etnike, prandaj ne po mendojmë që të gjejmë një rrugë përpara”, u shpreh tutje ai.

Ai gjithashtu tha se sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it është, siç u shpreh ai, absolutisht i dënueshëm.

 


Escobari dhe Lajçaku me tri kërkesa për Kurtin

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në Dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.

Takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta më vonë.


Kurti njofton Lajçakun e Escobarin për emërimin e Pantoviqit

Aktualisht është duke u mbajtur takimi i Kryeministrit Albin Kurtit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në pamjet e fillimit të takimit, të cilat i ka dërguar zyra e kreyministrit, Kurti dëgjohet tek u flet emisarëve për vendimin e kryetarit të Zveçanit, Ilir Peci, për të emëruar nënkryetare të Komunës, Slagjana Pantoviqin.


Nis takimi i Kurtit me Lajçakun e Escobarin

Ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Vizita e tyre, do të ketë për qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e tensionuar në veri, e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog./21Media

Back to top button