Sot në orën 12:00 pritet të mbahet takimi i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me liderët politikë në Kosovë ku do t’i informojë rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Megjithatë, partia opozitare, VV do ta injorojë këtë takim. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.

Ai tha se kanë pranuar ftesë nga Hoti, por nuk do t’i përgjigjen.

“Nuk mund të ketë dialog të mirrëfilltë pa legjitimiet të ri përmes zgjedhjeve. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se jolegjitime dhe jolegale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”, ka thënë Kryeziu.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët e PDK-së, për të ditur se a do të jetë pjesë e këtij takimi, mirëpo ende nuk ka marr përgjigje.

Kujtojmë se në takimin e qershorit morën pjesë vetëm AAK, Nisma, AKR si dhe disa prej partive të komuniteteve./21Media