Kyreminsitri i Kosovës, Albin Kurti i ka dalur në mbrojtje zëvëndëses së tij, Donika Gërvalles në lidhje me debatin nëse ajo mbron vlerat UÇK-në.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai tutje ka shtuar se Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën çlirimtare dhe UÇK-në. “Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, ka shkruar Kurti.

Në lidhje me këtë Partia Demokratike e Kosovës dje ka kërkuar që Kurti, të marrë vendim për shkarkimin e kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvallën.

Ky disktum vjen pasi që janë kthyer në vëmendje disa deklarata të Donika Gërvallës që kishte bërë më herët për Specialen. Gërvalla atë kohë kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale./21Media