Kurti për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Zelli i prokurorisë për t’u marrë me të ishte maksimal

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai.

Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.

“Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti.

​Opozita lëshon seancën e Kuvendit

Grupet Parlamentare opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.

Shefi GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancën e sotme plenare. Pas dështimit të mocionit për raportimin e ministres Artane Rizvanolli në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, ai tha se opozitës po i mohohet e drejta për një debat parlamentar.

Ai theksoi se pas deklarimeve jashtë të rendit të ditës, deputetët e PDK-së nuk do të qëndrojnë në sallë për vijimin e pikave tjera të rendit të ditës. Tahiri ka konsideruar se është e dëmshme që të votohet kundër debatit me ministren Rizvanolli.

“Si Grup Parlamentar pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë, sepse është e pakuptimtë që të vazhdojmë debatin në çështje të tjera, përderisa neve si opozitë na mohohet një e drejtë fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, partia në pushtet po e mbron kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ky i fundit është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

“Ne kemi parë një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për ta mbrojtur një person jashtëzakonisht të fuqishëm. Edhe në kuadër të komisionit dhe intervistimit që kemi pas me Krasniqi, ne kemi pa fuqinë e tij politike dhe atij nuk i bënte përshtypje fare as ZRRE-ja, as ministrja e energjisë, as debatet parlamentare të cilat ne i ngrisnim, sepse kishte një lidhje direkte me kryeministrin Kurti dhe ndjente një siguri të fuqishme, pikërisht në abuzimet të cilat i bënte në vazhdimësi. Kur ne i thoshim se si vepron një kryeshef i KEK-ut në kundërshtim me ZRRE-në, ai thoshte kështu jam unë, këto janë rregulla që përcaktoj unë, sepse drejtoj KEK-un. I njëjti sot është në paraburgim dhe ju sot na mohoni një debat parlamentar me ministren e cila e mbikëqyr punën pikërisht të personit në fjalë”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka përsëritur se ditëve në vijim do të procedojnë denoncimet për kryeshefin Nagip Krasniqi.

“Ne në kuadër të komisionit tonë hetimor parlamentar që kemi punuar për gjashtë muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të keqpërdorimeve dhe abuzimeve, pikërisht të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Pra, i njëjti ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit që nuk mund të ndodhë, pra drejt një kompanie private siç është KESCO dhe KEDS-i, i njëjti ka negociuar tendera një burimor. Si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike, pra i njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, ka pas konflikt interesi, dhe të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar të cilin në e kemi diskutuar”, ka shtuar ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së shtoi se kupola e këtij keqmenaxhimi është ambasadori Martin Berishaj.

Derisa seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës e lëshuan dy partitë opozitare PDK dhe LDK, sallën më pas e lëshoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se Kuvendi i Kosovës është i bllokuar për shkak të mos dijes së ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Kuvendi i Kosovës është i bllokuar ose nëse ka një qasje strategjike politike për ta bllokuar ose për shkak të mos dijes mos konsulimit, mos trajtimi nga ministri i Financave….Të hyrat vetanake të mos preken ky ka qenë qëllimi ky diskutimi dhe ky ka qenë amandamentimi dhe ky ligj i cili është periodik prej 1 janar deri më 31 dhjetor e prek vetëm temë. Tash për ta vendosur LDK-në keq dhe opozitën që nuk kanë ditur me bë amandament është kah luhet një lojë që do të na bien në situatë që neve si opozitë me bojkotua Kuvendin, me bojkotua punën në Komisione për ta dërguar një porosi”, tha ai.

Rizvanolli për arrestimin e drejtorit të KEK: po presim fakte, uroj që prokuroria të jetë efiçiente edhe në raste tjera

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,   tha se nuk ka asnjë informatë zyrtarë për arrestimin e drejtorit të Korporatës energjetike të Kosovës, Nagip Kraqsniqi.

“Në lidhje me rastin e bastisjes së djeshme ne KEK, ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare” Do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë para se të shprehemi dhe gjithashtu do të jemi në kontakt me bordin lidhur me zhvillimet atje”, tha Rizvanolli në Kuvend

Ndërkohë që hodhi kritika mbi prokurorinë duke thënë se kjo ministri ka dorëzuar 30 raste të ndryshme në prokurori që nga fillimi i mandatit.

“Vetëm nga KEK-u janë dorëzuar mbi 20 lëndë … në këto 17 raste të dërguara nuk është ndërmarrë asnjë hap nga prokuroria. Uroj që efiçienca e Prokurorisë për hetimin e kryeshefit të KEK-ut të jetë e njëjtë edhe për rastet e tjera”,  deklaroi Rizvanolli.

Kusari-Lila ia atribuon Qeverisë Kurti meritat për vizat

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se Kosova është ballafaquar me numrin më të lartë të kritereve teknike për liberalizimin e vizave.

Ajo theksoi se dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për një dekadë udhëtimin pa viza. Sipas saj, serioziteti i Qeverisë Kurti pamundësoi shtyrjen e mëtutjeshme për lëvizje të lirë të qytetarëve.
Në seancën e sotme plenare, Kusari Lila u shpreh se kjo barazi me popujt tjerë evropianë duhet të shërbejë si motiv dhe reflektim në përmirësimin e jetës.

“Dje u përmbyll procesi më i gjatë dhe i vështirë i liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Pas nënshkrimit të këtij akti, dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për dhjetë vite me radhë udhëtimin në zonën Schengen pa viza për kosovarët. Përveç faktit se Kosova u ballafaqua me numrin më të lartë të kritereve teknike, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ky proces fatkeqësisht ndër vite u lidh edhe me procese politike të cilat në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kisha asnjë ndërlidhje mes veti. Në dy vitet e fundit, shtyrja e procesit u ndërlidh me dialogun Kosovë-Serbi dhe pa arsyetime formale, liberalizimi i vizave përdorej si shkak i kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut, në të cilën i suksesi i procesit nuk varet nga njëra palë e aq më pak nga pala e dëmtuar në këtë rast, Kosova”, ka thënë ajo.

Shefja e deputetëve të shumicës shtoi se përkundër vonesës është lajm motivues, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

“Serioziteti i qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për transparencë dhe llogaridhënie, për liri të fjalës dhe media të lira, progresi i vendit në indikatorët ndërkombëtarë, si Freedom house, indeksi i lirisë së shtypit, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtje në llogaridhënie Serbinë në procesin e dialogut, pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimit të mëtutjeshëm të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”, ka shtuar ajo.

Kusari Lila u shpreh se Kosovën tashmë e pret një proces tjetër i rëndësisë së lartë që është anëtarësimi në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nuk kaloi moconi i PDK-së për raportimin e Rizvanollit rreth arrestimeve në KEK

Nuk ka kaluar në Kuvend mocioni i Partisë Demokratike të Kosovës për raportimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nga 77 deputetë që ishin pjesëmarrës në seancë, 32 votuan për dhe 45 kundër njofton Klankosova.tv.

PDK ka kërkuar raportim të ministres pas bastisjeve në KEK gjatë së mërkurës dhe arrestimit të kryeshefit, Nagip Krasniqi.

Kuvendi mban seancë, në rend dite edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në seancë plenare.

Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

Në rend dite janë10 pika, ndër të cilat edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit.

Ndryshe, dje ka dështuar të mbahet seanca për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve.

Rendi i ditës për seancën e sotme:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L – 123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive,
4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-167 për Prokurorin e Shtetit,
5. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”,
6. Votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe Frankfurt am Main (KFË),
8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
10. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Back to top button