Kurti për Demaçin: Ishte mishëruar me lirinë deri në një nivel ontologjik

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi në katër vjetorin e vdekjes.
Ai në një postim në “Facebook” ka shkruar se Adem Demaçi është sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët.
“Ai ishte veprimtari më unik dhe më autentik. Idealisti që qëndroi 28 vjet në burgjet gjithandej ish-Jugosllavisë. Dy prej tyre, Pozharevcin e Nishin, dhjetëfish më pak në kohëzgjatje, do t’i përjetoja edhe unë, pasi isha arrestuar nga policia serbe, ndër tjera edhe si bashkëpunëtor i Adem Demaçit. Aty pashë vendet ku Baca Adem ishte kalitur politikisht, shpirtërisht e fizikisht, duke kujtuar rrëfimet e dëgjuara prej tij për vitet e shumta kaluara në ato burgje. Më 1997, Baca Adem Demaçi mbështeti protestat e organizuara nga ne studentët e Universitetit të Prishtinës. Pas shpërthimit të luftës, më 13 gusht 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi Adem Demaçin përfaqësues politik të UÇK-së. Këtu pata fatin t’i bashkohem në zyrën e tij në Prishtinë, në lagjen Tophane, si sekretar i tij, për mbi gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe, ai afirmoi e mbrojti politikisht UÇK-në në mes të Prishtinës, duke takuar diplomatë ndërkombëtarë dhe mbajtur konferenca për media, si zë i një force politike dhe ushtarake që luftohej nga Serbia. Edhe në lirinë e pasluftës, Adem Demaçi vazhdoi të ishte busull i lirisë. Ky njeri që 28 vjet të jetës i kishte kaluar pa liri, ishte mishëruar me lirinë deri në një nivel ontologjik. Duke e jetuar personalisht fatin kolektiv dhe historik të popullit të tij, Adem Demaçi, ky lexues në kushte burgu i Hegelit, e kishte trupëzuar historinë e shqiptarëve fiks siç kishte shkruar Hegeli, që “historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri”. Ai qe fibri më i ndjeshëm i lirisë sonë, derisa vdiq më 26 korrik 2018 në Prishtinë, sot e 4 vjet më parë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri thotë se ata që për shkak të rrethanave nuk kanë mundur ta njohin në të gjallë Adem Demaçin bashkë me veprën e tij, rruga më e mirë për ta bërë është duke lexuar romanin e tij autobiografik “Dashuria kuantike e filanit”.
“Në të, siç ka thënë vetë Baca Adem: “Rrëfej jetën time që të shohësh se si shqiptarët më gatuan për të mirën e vet dhe se si pushtuesit serbë më kalitën e më farkuan për sherrin e për të zezën e vet.” Kurse ata që ndjehen të frymëzuar nga jeta dhe vepra e tij, mund ta ndjekin atë përmes gjurmëve të idealeve të lëna pas, nga formimi patriotik te konsistenca politike dhe nga besimi stoik te qëndrimet humane. Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit dhe gjithë trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe historike”, ka shkruar tutje Kurti.
Adem Demaçi ishte shkrimtar dhe veprimtar i njohur politik. I njohur edhe si Mandela i Ballkanit. Ai u dënua me 28 vjet burgim nga ish-sistem komunist jugosllav për veprimtarinë politike.
Mbështeti UÇK-në në luftën e saj kundër forcave okupuese serbe dhe për një kohë kreu edhe detyrën e përfaqësuesit politik të kësja organizate. Në kuadër të kontributit të tij patriotike hynë edhe krijimtari letrare. Romani i tij, “Gjarpinjtë e gjakut” konsiderohet si një ndër veprat më me ndikim të kohës, pavarësish se ai ishte i ndaluar nga regjimi komunist.
Për kontributin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe lirive qytetare ai u nderuar me çmimin e Parlamentit Evropian ‘Saharov’. Për disa vite ai drejtoi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës.
Adem Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018 në Prishtinë./21Media

Back to top button