Kurti për vizitën e delegacionit të Kosovës në Uashington: Turizëm qeveritar

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur turizëm qeveritar vizitën e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Washington.

Sipas Kurtit, ekipi i Kosovës nuk është koordinuar për takimin me Serbinë.

“Delegacioni kosovar shkoi tri ditë më herët, para fillimit të bisedimeve. Ky është turizëm qeveritar me para të shtetit e të popullit. Delegacioni nga Kosova është enorm për nga numri i pjesëmarrësve dhe shumëfish më i madh sesa ai nga Serbia. S’ka përvojë në negociata ndërkombëtare, por vetëm në ato për poste qeveritare. Mbase negociatat e vërteta janë mes SHBA-së dhe Serbisë, e delegacioni kosovar është ndërmjetësuesi i panevojshëm”, ka deklaruar  Kurti.

Ai tutje është shprehur se nuk mund të ketë marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve .

E ka quajtur çmenduri “idenë që të kryhet marrëveshja shpejt e shpejt pa përfshirjen e partisë më të madhe në vend”.

Sipas Kurtit  pa pasur vlerësim të marrëveshjeve të shkuara, pa paraqitur kërkesat ndaj Serbisë dhe pa pasur platformë e ekip negociator, nuk mund  të ketë marrëveshje të drejtë e të qëndrueshme mes shteteve.

Kurti është shprehur se vetëm njohja nga Serbia nuk i mjafton Kosovës  pasi që sipas tij Serbia i ka më shumë borxh Kosovës./21Media

Back to top button