Në seancën e sotme parlamentare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Fadil Nura për dy aktivistët e LVV-së, Arben Xheladini dhe Mon Balaj që u vranë në protestat e 2007-tës.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria ka bërë atë që është e mundshme, sipas të cilit ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kurti ka thënë se pas protestës së 10 shkurtit 2007, ishte publikuar një raport i shefit të shtyllës së dytë të UNMIK-ut, Rober Din ku është konstatuar se vrasja e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ka qenë edhe e panevojshme dhe e evitueshme.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës konsideroj që me UNMIK-un duhet të fillojmë të flasim për vrasjen Arben Xheladinit dhe Mon Balajt pasi që prokuroria jonë special të filloj hetimin qoftë edhe për gjykim në mungesë të atyre kriminelëve nga radhët e policës ndërkombëtare që I kanë vrarë aktivistët tanë. Në këtë pikë kjo çështje duhet të jetë gjyqësore dhe në degë të tillë e ne nuk mund e as nuk duhet të kemi ndikim. Sa na përket neve si ekzekutiv ne kemi bërë atë që mundemi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu I ka shkruar direkt Rumanisë për këtë çështje, por ende nuk kemi marrë përgjigje… Paneli këshillues për të drejta e njeriut në kuadër të UNMIK ut e patë trajtuar këtë çështje me sukses të pjesshëm jo i plotë. Si Qeveri vlerësojmë se kjo duhet të marrë rrugën e drejtësisë”, theksoi Kurti.

Shefi i Qeverisë, tha se prej ekipit të policëve që kanë qenë pjesëmarrës në protestën e 10 shkurtit 2007, nga 11 polic të Rumanisë në kuadër të UNMIK-ut, 2 prej tyre me siguri janë vrasës, ata nuk janë më nën ombrellën e UNIKM-ut ata janë në Rumani. Kryeministri thekoi se është koha që prokuroria e Kosovës të veproj.