Kurti: Përkushtohemi që FSK-ja të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s

1 min read

 

 

“Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës “FSK dhe partnerët”.

Kurti tha se Kosova synon të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë; në veçanti NATO dhe BE. “Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon“, shtoi ai.

Qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes”, tha ndër të tjera Kurti.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë./21Media