Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla sot në Bruksel janë pritur në takim nga Paolo Gentiloni, komisionar i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.

Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi, dhe angazhimin për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.

Kurti tha se Kosova ka mirëpritur paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike, duke u kujdesur njëkohësisht për ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar më së shumti nga pasojat e pandemisë.

Për më tepër, kryeministri Kurti njoftoi komisionarin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin digjital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Kurti prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik, duke përfshirë rininë e talentuar dhe shpirtin ndërmarrës të mërgatës.

“Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë”, tha ai.