Kurti: Propozimi evropian i pranueshëm për të ecur përpara

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë sërish sot se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara
Ai këto deklarata i ka bërë gjatë takimit me Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.
Bëhet e ditur se gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe OSBE-së.
Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u diskutua edhe për zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.
Duke folur për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në OSBE në Vjenë po vizitojnë sot Republikën e Kosovës në kuadër të turneut rajonal në Ballkanin Perëndimor , bëhet e ditur nga një komunikatë për media nga ambasada e Britanisë në Kosovë.
Grupi përbëhet nga ambasadorja Christine Fages (Francë), ambasadorja Gesa Braeutigam (Gjermani), ambasadori Stephano Baldi (Itali), ambasadori Neil Bush (MB) dhe ambasadori Michael Carpenter (Shtetet e Bashkuara)./21Media

Back to top button