Qeveria e Kosovës sot ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë. Lidhur me këtë ka reaguar ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke thënë se kjo qeveri është e paligjshme dhe në shërbim të Serbisë.

“Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka panumër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, ka reaguar Kurti.

Ai në një postim në “Facebook” tha se pardje njoftuan mediet se 20 kamionë që kanë hyrë nga Serbia e respektuan masën tonë të reciprocitetit.

“Në dokumentet e tyre e kanë shkruar: Republika e Kosovës. Pra, ata po e zbatonin reciprocitetin. Por, pas vendimit të sotëm, nuk do të kenë më nevojë. Hoti ka deklaruar që i ka hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në këtë mënyrë, ai ia ka mveshur Kosovës fajin për mungesën e deritanishme të dialogut. Një këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveç që dialogu do të jetë asimetrik sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut”, tha tutje Kurti.

Ish-kryeministri u shpreh se historikisht shqiptarët i kanë pasur dy rryma politike varësisht nga qëndrimet e tyre karshi Serbisë. “As sot nuk është ndryshe, por, si rrallë herë më parë situata është qartësuar”, ka përfunduar ai.

Ekzekutivi sot ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë./21Media