Kurti: Ramazani na mëson të përkushtohemi tek ana shpirtërore e njeriut

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën, edhe në Kosovë, sot (e hënë) kremtojnë Natën e Kadrit, në të cilën ka filluar zbritja e librit të shenjtë të tyre, Kuranit, e që në islam njihet si “nata e shenjtë kur hapen dyert e qiellit dhe kur pranohen lutjet dhe pendimet” dhe si “nata më e vlefshme se një mijë muaj”.

Për të shënuar këtë ditë, në Prishtinë, xhamia “Prof. Dr. Bedri Kamberi” ka shtruar iftar për përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupin diplomatik të akredituar në Kosovë si dhe të ftuar të tjerë.

I pranishëm ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që pasi falënderoi imamin e kësaj xhamie, Labinot Maliqi, deklaroi se muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës që na mëson si të përkushtohemi tek ana shpirtërore e njeriut.

Ai uroi agjerim të pranuar për të gjithë besimtarët myslimanë që privohen nga ushqimi nga lindja deri në perëndim të diellit.

“Është kjo Nata e Kadrit e cila përtej peshës historike e religjioze, është vlerë e veçantë sa i përket besimit përkushtimit pra devocionit, por gjithashtu edhe besimit e paqes. Unë uroj që Zoti të pranojë lutjet dhe agjërimin tuaj dhe mirësia, kontributi që keni dhënë dhe po jepni për familjet tuaja, për shoqërinë, për shtetin, për kombin mbarë të jetë i vlerësuar nga të gjithë dhe secili. Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër, gjithmonë i mbështesim qytetarët kur bëhen bashkë kur për të mirë ata punojnë bashkë, organizohen dhe tregohen solidarë. Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës e cila na mëson që të përkushtohemi tek ana shpirtërore e njeriut. Andaj të gjithëve iu dëshiroj agjërim të lehtë edhe në këto tri ditë të mbetura. Sivjet Bajrami i Madh bjen të premten, e xhuma, dhe të gjithë juve lutjet dhe agjërimi ju pranoftë nga i madhi Zot”, tha Kurti.

Xhamia “Prof. Dr. Bedri Kamberi” gjatë gjithë muajit të Ramazanit ka shtruar iftare për familjet në nevojë dhe studentët.

Back to top button