Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot po zhvillon vizitë zyrtare në Bruksel ku nga atje konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit, që është caktuar si datë nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Kurti në një prononcim për media konfirmoi se nuk do të marrë pjesë duke thënë se nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Por, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se do të jetë në Bruksel për një drekë ose darkë pune të konfirmuar nga Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës Kurti tha se vetëm djalogu ku qytetarët janë përfitues është dialog i vërtetë dhe i dobishëm që sjell marrëveshje të qëndrueshme dhe të zbatueshme.

Pas takimit që ka pasur të hënën shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq ishte zbuluar data e takimit në mes Kosovës dhe Serbisë për dialogun. Në konferencën për media Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Borrel tha se 11 maj është data e takimit.

Megjithatë Qeveria e Kosovës e ka konsideruar këtë vendim si të njëanshëm për të cilën nuk është njoftuar zyra e kryeministrit. “Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve.”, kishte thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu derisa shtoi se “Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”,

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike. Pastaj, pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt. /21Media