Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot deklaroi se kryeministri Albin Kurti rinisi dialogun pa vendosur reciprocitetin me Serbinë dhe pa një platformë, apo strategji.

Hoxhaj shkroi se, me konfirmimin e tij për rinisje të dialogut me Serbinë, Albin Kurti e përmbysi gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi.

“Nga Jo Negociata – Vetëvendosje, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës. PDK si parti shtetformuese do të kundërshtojë çdo ide që synon zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe përmbysjen e rendit kushtetues. Në Bruksel, duhet të ketë dialog vetëm për njohjen reciproke, asgjë tjetër.”, shkroi Hoxhaj në facebook.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, pas takimit me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell tha se dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ana e Kosovës. “Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne. Unë do të vij përsëri në mes të majit për darkën që keni organizuar me liderët e Ballkanit perëndimor dhe do të shikoj që të kem biseda e takime për të filluar një periudhë të re të dialogut”, tha Kurti në konferencë për media pas takimit.