Kurti: Shefi i zyrës sonë në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e rrëmbyer

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e arrestuar nga forcat serbe, mirëpo kërkesa e tij ende nuk është trajtuar, pasi ende nuk janë bërë 48 orë nga paraburgimi i tyre.
Kurti, duke raportuar para deputetëve në Kuvend, tha se ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar edhe me misionin e BE-së në Beograd, ambasadorët e QUINT-it dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
“Ambasadori Jetish Jashari, i cili është shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kontaktuar me misionin e BE-së atje dhe ambasadorët e QUINT-it dhe organizata për të drejtat e njeriut, po ashtu i është drejtuar me kërkesë edhe gjykatës për vizitë, por ajo ende nuk është trajtuar pasi nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit nën arrest të policëve tanë. Deri 48 orë ndodhet brenda MPB-së dhe më pas del tek gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë”, tha ai.
Ai foli edhe për situatën në veri të Kosovës dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për deeskalim.
Kurti përsëriti pesë pikeshin e tij për depërshkallëzimin e situatës në veri, derisa tha se kryetarët në veri do të largohen nga zyrat e tyre vetëm me zgjedhje të reja.
“Ndërsa sa i përket kërkesave që na janë bërë neve nga Brukseli. Natyrisht se kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre, kjo bëhet pikërisht me zgjedhje të reja. Ne nuk jemi kundër largimit të tyre, por jemi kundër largimit pa zgjedhje. Pas zgjedhjeve të reja pas zgjedhjeve të reja lokale me siguri do të fitojnë kryetarët e tjerë. Nëse pjesëmarrja është e lartë, s’ka dyshim se do të jenë këta kryetarë, por disa të tjerë”, shtoi Kurti.
Pas fjalimin të tij, Kurti lëshoi sallën plenare, siç tha për shkak të angazhimeve të tjera.
Kurti: KFOR-i nuk do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se KFOR-i do të duhej të ndërhynte ndaj kidnapimit të policëve në Leposaviq nga forcat serbe, pasi siç tha ai, kjo ishte përgjegjësi e këtij institucioni.
Ai deklaroi të enjten në Kuvendin e Kosovës se ende është në pritje të përgjigjes dhe marrjes së përgjegjësisë efektive.
“Ne ende jemi në pritje të KFOR-it të marrjes së përgjegjësisë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes duke urdhëruar Serbinë t’i kthejë policët e kidnapuar dhe ta ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, të sovranitetit por edhe të pikës 4 të Marrëveshjes së Kumanovës. Dje është shkelur pika 4, e datës 9 qershor, 1999. KFOR-i pra nuk do të duhej të ishte i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues që kishte edhe mandat të parandalonte. Nëse e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur që dihet me ligj, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, e do ta mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha Kurti.
Ai tutje ka kërkuar përgjegjësi efektive nga KFOR-i për funksionin e saj të mbrojtjes në veri. Ai ka thënë se KFOR-i është dashur ta mbronte Kosovën në pjesën veriore, në momentin kur forcat serbe kidnapuan tre policë të Kosovës brenda territorit të Kosovës.
Kurti: Jam i interesuar për de-eskalim të situatës në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon raportimin në Kuvend për situatën e fundit të shkaktuar në veri të vendit, pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.
Ai ka thënë se është i interesuar për de-eskalim të situatës, por pa asnjë nënshtrim.
“Unë jam i interesuar për de-eskalim të situatës në veri. Këtë e dëshmova të hënën kur propozova përfaqësuesit të lartë të BE një plan 5-pikësh. Por, de-eskalimi duhet të ndodh në shërbim të normalizimit të plotë të situatës dhe marrëdhënieve jo në dëm të shtetësisë sonë, sundimit të ligjit e nënshtrimit ndaj milicisë fashiste. Prandaj hakmarrjeve të tilla do t’i përgjigjemi me rend e ligj, me qasje civilizuese shtetërore. Asnjë kthim prapa, as nënshtrim e as ndryshim të mendjes për të respektuar Kushtetutën, e integritetin territorial, shtetin e së drejtës dhe vlerat evropiane të shtetit tonë të pavarur”, tha Kurti.
Kurti: Kosova s’lejon të nënshtrohet nga milicia fashiste e Vuçiqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke raportuar në Kuvend për situatën e fundit të shkaktuar në veri të vendit, pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, ka thënë se Kosova “nuk lejon të nënshtrohet nga milicia fashiste e Vuçiqit.
“Policia e Republikës nuk bën gjueti shtrigash. Ajo iu nënshtrohet maksimalisht standardeve të provës e dëshmisë faktike. Këto shkolla e trajnime nuk lejojnë politizimin e procedurave dhe të operacioneve. Unë, kryeministri, e kam marrë vesh sikur ju për arrestimin e eksponentit e njërit prej krerëve të ‘Mbrojtjes Civile’. Por aq i madh është paniku, të strukturat e grupet kriminale, mua më është krijuar përshtypja që ende s’jemi të vetëdijshëm për përmasat e rëndësinë për krimin e organizuar që i ka ky i arrestuar që ndodhet në paraburgim”, ka thënë Kurti në fillim duke komentuar arrestimin e të dyshuarit për krime në veri, Milun Milenkoviq.