Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Thaçi, sot deklaroi se duhet ta lëmë në qetësi këtë institucion për të marrë vendimin profesional dhe meritor.

Kurti tha se është duke punuar me të gjithë kompetencat dhe nuk do t’i pengojnë skenarët për Qeverinë Hoti.

“Besoj që duhet ta lëmë të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese, ajo i ka aktgjykimet e saj nga rastet e mëhershme. Ekziston përvoja dhe praktikat e deritanishme, e kemi kushtetutën tonë, dhe le të punojë në qetësi për vendim profesional e meritor. […] Kosova është shtet i pavarur e ka kushtetutën, i ka ligjet e veta dhe unë punoj me gjithë dije e kompetencat që kam dhe nuk do të mund të na pengojnë insinuatat e tilla qofshin ato edhe presidenciale”, shtoi Kurti.