Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti  sot është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Kurti i njoftoi ambasadorët mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave.

Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia.

“Palët diskutuan për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ambasadorët shprehën nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend”, thuhet në njoftim.

Në takim bashkë me Kurtin, ishte ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Kurti e Bisilimi u takuan me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. /21Media