Kurti takohet me Çanak, flasin për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se gjatë bisedës mes tyre u diskutua mbi cështjet aktuale, zhvillimet në rajon, përfshirë agresionin ushtarak rus në Ukrainë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Ndër të tjerash, tutje thuhet se u diskutua edhe për raportete e Kosovës me Serbinë, teksa është përmendur edhe gjendja e pakicës serbe në vend.
“Gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit. Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë”, thuhe në komunikatë.
Po ashtu, Kurti ka theksuar se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpërfaqur rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje.