Kurti takohet me përfaqësuesit e Rrjetit për të Drejtat e Njeriut, theksohet përkushtimi i qeverisë

Në takimin e ftuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bisedua për të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022.

Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile u diskutuan mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raportit.

Bëhet e ditur se përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile e vlerësuan qasjen proaktive të Kurtit për takimin tashmë tradicional, të rregullt vjetor. E kryeministri theksoi punën dhe përkushtimin e Qeverisë për të drejtat e njeriut, barazi dhe gjithëpërfshirje.

Ai përmendi zhvillimet për drejtësi, duke theksuar Vetingun në sistemin e drejtësisë, miratimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit, aprovimin nga Komisioni i Venecias të ndryshimeve për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe miratimin në Kuvend të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Për barazi shoqërore e gjinore dhe parandalim dhe luftim të dhunës kundër grave dhe vajzave, u veçua miratimi i Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, lansimi i Protokollit Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale, si dhe ndryshimi i Kodit Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje”, thuhet mes tjerash në kumtesën për media.

U tha po ashtu se në këto dy vjet qeverisje, renditja e Kosovës është përmirësuar për 20 vende në Transparency International për luftën kundër korrupsionit, 22 vende në Lirinë e Shtypit Botëror sipas indeksit të Reporterëve pa Kufi. Jemi renditur të parët në Ballkan, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përparimin në të drejtat politike dhe liritë civile, e po ashtu të parët në Ballkanin Perëndimor për Sundimin e Ligjit për dy vjet radhazi nga World Justice Project.

Back to top button