Kurti takoi Ambasadorin e Katarit, u bisedua për mundësitë që ofron Kosova për investime

1 min read

Potenciali për rritje të bashkëpunimit mes dy vendeve ishte në qendër të takimit të sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadorit jo-rezident të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri.

Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Katarit, Ambasadori Al-Marri theksoi përkushtimin e tij për t’i konsoliduar edhe më tej këto marrëdhënie në frymën e bashkëpunimit, në të gjitha fushat.

Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë për Republikën e Kosovës, si dhe për mbështetjen e dhënë në skenën ndërkombëtare.

“Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë në vend, Kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë për shtim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare. Në takim u bisedua për mundësitë që ofron vendi ynë për investime në sektorët me interes për të dyja vendet.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ambasadori Al-Marri e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe u shpreh se Republika e Kosovës është shtet mik, si dhe ritheksoi vullnetin dhe angazhimin e tij për të rritur bashkëpunimin./21Media