Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet
Kryemininstri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat. Sipas tij, tash fillon epoka kur Serbia nis të mësohet me reciprocitet.
Ai tutje ka thënë se policia kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave, pasi që njësia Sepciale me arritjen e marrëveshjes do largohet nga Jarinja dhe Bërnajku.
“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt. Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, ka shkruar Kurti ndër tjera në Facebook.
Në Bruksel sot është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targa pas dy ditësh negociata. Në marrëveshjen e arritur është vendosur që më 2 tetor njësia Speciale e vendosur në Jarinjë e Bërnjak të largohet njëkohësisht me bllokadat në rrugë.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë./21Media