Kurti thotë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe se asaj po i pengon përparimi i Kosovës. Këto komente, Kurti i ka bërë pasi dështoi arritja e marrëveshjes përfundimtare për çështjen e targave të premten në Bruksel.
“Nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por besoj që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema. E di që kryenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje”, ka thënë kryeministri për televizionin publik.
“Ndërkaq, ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit, që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka shtuar Kurti, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri ka theksuar se Serbia tashmë e ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, për shkak që sipas tij, po i pengon përparimi i Kosovës.
Kujtojmë se pas takimeve të sotme mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, nuk është arritur marrëveshje për targat./21Media

Back to top button