Sipas Kurtit, ligji aktual i Trepçës ka mangësi e paqartësi

Sipas Kurtit, ligji aktual i Trepçës ka mangësi e paqartësi

Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit njofton se Bordi i ri i përkohshëm në ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. ka filluar punën.

“Kanë hartuar një plan 15 pikësh. Së fundmi, kanë zgjedhur ushtruesin e detyrës së kryeshefit të ri. E sot erdhi edhe lajmi i mirë që pagat janë shpërndarë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, zëvendësministrin Edison Jakurti dhe ish-drejtorin e Kombinatit “Trepça”, Nazmi Mikullovci takuan në Mitrovicë bordin dhe ud. e kryeshefit të ri.

“Me shkarkimin e kryeshefit ka nisur një optimizëm i ri. Trepça nuk do të jetë më ndërmarrja për një grup a parti të caktuar që duan ta vjelin e ta vjedhin, por do të bëhet ndërmarrja e shtetit të Kosovës. Ka një entuziazëm të ri te punëtorët. Ata më herët kanë provuar t’i përçajnë e t’i ndajnë. Tash puna i bashkon dhe Bordi e Menaxhmenti i ri do t’ju ndihmojnë e do t’i përkrahim”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje theksohet se “Trepça shumë herë është shfrytëzuar për premtime e fushata, në pazare e negociata”.

“Kapaciteti i saj prodhues është shtetndërtues. Sot, ne duhet t’i dalim në mbështetje Trepçës. Nesër, ajo do të na mbështesë neve. Në muajin mars prodhimi ka qenë rekord: 14.810 tonë. Duhet ta mbajmë këtë ritëm e ta shtojmë atë. Trepça do të jetë pjesë e pakos së dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Por, kryeministri në detyrë Kurti tha se duhet të ketë programe e projekte të specifikuara mirë për investimet dhe zhvillimin, për shpenzimet dhe rezultatet që presim.

“Në Trepçë, Stantërg e Artanë janë 1280 punëtorë. Punëtorët nuk duhet të kenë vetëm paga por edhe të drejta. Puna në qeverinë tonë do të jetë nderi me të cilin do t’i shërbejmë vendit dhe fitojmë mirëqenie për vete. Ligji aktual i Trepçës ka mangësi e paqartësi. Ai duhet plotësuar e ndryshuar”, thuhet në komunikatë.

Në fund të komunikatës thuhet se ligji aktual i Trepçës ka mangësi e paqartësi. Ai duhet plotësuar e ndryshuar. /21Media