Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar edhe me Kadri Simson, Komisionere e Bashkimit Evropian për Energji.

Në takim  Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përmirësojë efiçiencën e energjisë dhe të diversifikojë energjinë, si dhe lëvizjen drejt një ekonomie të gjelbër, duke u siguruar që vendimet tona janë të informuara mirë dhe realiste.  Kjo është çështje kapitale për të cilën kryeministri Kurti theksoi se kërkon konsensus të gjerë shoqëror.

Sipas një komunikate për media, Kurti e njoftoi komisioneren Simson me Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, planet për rishikimin e politikave në energji sipas direktivave të Bashkimit Evropian, dhe mbështetjen që do t’iu ofrohet bizneseve që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin. Kosova është pjesë e bashkëpunimit rajonal në sektorin e energjisë për të cilin kryeministri tha se duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Në këtë  takim Kurti ishte së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz./21Media