Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para se të niset për në Bruksel bëri homazhe te Memoriali i të Pagjeturve në Prishtinë tha se kjo është një plagë e hapur që nuk mbyllet me kalimin e kohës, por vetëm kur drejtësia të vije në vend.

Kurti tutje tha duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë për të pagjeturit. Por, i pari i vendit refuzoi të përgjigjet se a do të diskutohet kjo çështje në Bruksel.

Megjithatë, ai në fjalimin e tij, u zotua se do të sjellin drejtësi me “krejt çka munden e dinë”.

“E vërteta është përpjekur të varroset, mirëpo nuk mund të shtypet e të ndrydhet”, u shpreh ai.

Shënimi i kësaj dite më 27 prill bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës 15 deri 60 vjeç.

Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur edhe 1 mijë e 643 njerëz, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë./21Media