Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar, minus 10 milionë euro në muaj në buxhetin e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria nuk do të ndërmarrë masa të shpejta dhe të paqëndrueshme për përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve, duke theksuar se prioritet mbeten zgjidhjet afatgjata dhe të qëndrueshme.

Ai tha se ulja e TVSH-së dhe akcizës për naftën do të krijonte boshllëk të madh financiar në buxhetin e shtetit dhe se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh për të përballuar rritjen e çmimeve.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e naftës, Kurti u shpreh se në kohë sfiduese është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta, por sipas tij, përgjegjësia e institucioneve është të zgjedhin opsionet më të dobishme për vendin.

“Në kohë sfiduese kur çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme, është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të zgjedhim rrugën më të lehtë, por më të dobishme dhe të qëndrueshme për vendin tonë”, ka thënë ai.

Kryeministri theksoi se pavarësisht zhvillimeve në tregjet globale, situata në Kosovë nuk ka arritur ende në një pikë kritike sa i përket furnizimit me derivate.

“Situata aktuale në tregun e derivateve ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha të botës, ndërkaq te ne efekti më dramatik ende nuk ka dhënë shenjat e veta, pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, u shpreh Kurti.

Back to top button