Kurti uron Kurban Bajramin: Do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë

Me sakrificat të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, Kosovën do ta bëjmë shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.
Ky është mesazhi që kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur të përcjell në ditën kur besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin.
Në urimin e tij, Kurti ka ftuar qytetarët që gjatë të festimit të ruajnë higjienën e distancën sociale, pasi siç është shprehur ai ka vende të botës ku pandemia po rikthehet.
“Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat. Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë. Të dashur myslimanë që sot po festoni. Është viti i dytë që këtë festë e kalojmë në kushtet e një rreziku global prej pandemisë, gjë që ka pamundësuar edhe pelegrinazhin e haxhit, për shkak të masave shëndetësore të marra nga Arabia Saudite. Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet. Edhe një herë ju uroj, juve e familjeve tuaja, Për hajr Bajramin!”, ka shkruar kryeministri në Facebook./21Media

Back to top button