Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kanë vizituar sot Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës.

Gjatë takimit Kurti dhe Abdixhiku u njoftuan me format dhe mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, sfidat buxhetore dhe të kapaciteteve njerëzore të kësaj agjencie e cila është shumë e rëndësishme për ekonominë e vendit dhe sigurinë e transportit ajror.

Ata po ashtu u njoftuan edhe për vendimin e marrë së fundi për shfuqizimin e rregullores për organizimin e brendshëm të agjencisë e cila ishte miratuar në korrik të vitit 2019, por që e njëjta ishte në shpërputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kryeministri në detyrë Kurti ofroi mbështetjen e tij dhe të Qeverisë së tij për këtë agjencion.  Fakti që kjo vizitë po ndodh që në javën e parë të emërimit të u.d. Drejtorit të Përgjithshëm, z. Arianit Islami, pas shkarkimit të atij paraprak, është shprehje e kësaj mbështetjeje ndaj detyrave të rëndësishme të këtij institucioni të rëndësishëm. Në fund, Kryeministri shtoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës duam ta forcojmë shtetin dhe për këtë arsye Aviacioni Civil është tejet i rëndësishëm për ne”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./21Media