Sot është Dita Botërore e Ujit, e cila ka për qëllim të tërheqë sa më shumë vëmendje për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe me qëllim të apelimit te të gjithë qytetarët që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit.

Më këtë rast, kryetari i VV-së, Albin Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” i është bashkuar thirrjes që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

“Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane. Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë. Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë. Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka theksuar se njëjtë sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë qeveritë, pavarësisht kundërshtimeve publike e protestave të banorëve, kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërtim të hidrocentraleve.

“Në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, qeveritë në Kosovë kanë mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla duke prishur burimin e lumenjve ekzistues. Investime të tilla afatshkurtra për përfitime të shpejta materiale individuale, pa llogaritur fare dëmet afatgjate ekologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e komuniteteve, nuk do të bëhen më”, ka thënë Kurti.

Sipas tij tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e të restaurohen e rikthehen.

Kjo ditë shënohet që nga 22 marsi i vitit 1993./21Media