Kurti: Vuçiqi ishte në presion pas asaj që deklarova

Deklarohet kryeministri i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti tha se nuk është takuar me Vuçiqin.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiqin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiq tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiq) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se ka luftuar për interesat e Serbisë.

Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiqit në të njëjtën tryezë.

Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh./REL

Back to top button