Kusari-Lila: Brenda pak ditësh qeveria do të përcjellë koeficientin në Kuvend

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se brenda pak ditësh qeveria do të përcjellë në Kuvend koeficientin e miratuar në kuadër të Projektligjit për buxhetin. Ajo ka folur pas dështimit të mbledhjes së kryesisë ku ndër të tjera ka bërë të ditur se do të jetë seanca plenare më 1 dhe 2 shkurt. Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se koeficienti do të duhej të përcaktohej si rezultat i një debati të gjerë dhe jo me ligjin për buxhetin derisa kanë kritikuar mazhorancën sipas tyre për degradim të punës së Kuvendit.
E vlerën e koeficientit që po e presin të gjithë të punësuarit në sektorin publik, nuk ka treguar nëse e di vet shefja e deputetëve të Vetëvendosjes.
“Koeficientin besoj shumë shpejtë qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë, javën tjetër gjithsesi do e përcjellë në Kuvend, të miratuar në kuadër të projektligjit për buxhetin, me çrast do të bëhet një plotësim ndryshim i projektligjit për buxhetin në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë e cila pastaj do e thjeshtësojë shumë punën në trajtimin e pagave dhe koeficienteve në vitet në vijim për arsye se mund të rishikohet në kuadër të projektligjit për buxhetin… Prapë e rezervoj vetën të flas për këtë çështje pa u bë publik vendimi i qeverisë”, ka thënë ajo.
Ndërsa shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se përcaktimi i koeficientit nuk do duhej të jetë nga një individ, por nga debati mes qeverisë dhe sindikatave.
“Përcaktimi i koeficientit do të duhej më ndodh si rezultat i një debati të gjerë mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë sonë, përcaktimi i koeficientit nuk mundet me qenë përcaktim i një individi qoftë ai kryeministër apo ministër, duhet me qenë përcaktim i një debati të gjerë në shoqërinë tonë dhe të arsyetohet pse po vendoset ky koeficient, pra duhet të arsyetohet qartë nga qeveria që se bashku me gjithë këta akterë pse vendosën me qenë kaq vlera e këtij koeficienti. Mirëpo ne e shohim që tani kemi një qeveri që po rrëshqet në drejtim të një autoritarizmi, dhe siç duket kjo i jep një lloj kënaqësie kryeministrit Kurti që të jetë ai në fund që e thotë fjalën e vet dhe që në bazë të asaj fjale do të marrë pagën secili qytetar që paguhet nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij koeficienti nën 130 euro nuk do të arrijë të sigurojë pagë që ndihmon në kalimin e sfidave në këtë kohë të rritjes së inflacionit.
Ndërsa mbledhja e kryesisë e planifikuar të mbahet sot ka dështuar në mungesë kuorumi.
Aty kanë munguar nënkryetarët Saranda Bogujevci dhe Enver Hoxhaj.
Në këtë seancë pritej të diskutohej për seancat e ardhshme më 1 dhe 2 shkurt.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes ka bërë të ditur se më 1 shkurt do të ketë seancë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara ndërsa seanca e re do të mbahet më 2 shkurt.
Këto sipas saj do të caktohen në mbledhjen e ardhshme të kryesisë që do të mbahet të hënën e ardhshme.
Ajo ka thënë se dështimi i mbledhjes nuk ka të bëjë me dallime politike, por ka ndodhur për shkak të agjendave.
“Arsyeja që këtë javë nuk është planifikuar seancë e rregullt të mbahet është për faktin se edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja e parë e Kuvendit, Saranda Bogujevci do të jenë në Strasburg në takime në Këshillin e Evropës, në një agjendë tepër të ngjeshur dhe të rëndësishme për Kosovën, të mërkurën planifikohet në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës të debatohet për dialogun Kosovë-Serbi, është pikë e rendit të ditës e propozuar nga Britania e Madhe, prandaj është e rëndësisë së lartë që prezent të jenë përfaqësuesit e nivelit më të artë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë rast edhe delegacioni i kuvendit të republikës që është në Këshillin e Evropës por gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.
Kritika për mazhorancën ka pasur shefi i deputetëve të PDK-së Abelard Tahiri sipas së cilit partia në pushtet po e degradon punën e Kuvendit.
“Siç duket po hymë në një sesion pranveror ashtu siç kemi vazhduar, siç kemi pasur një degradim të skajshëm të punës së kuvendit në sesionin e kaluar vjeshtor. Mund ta imagjinoni i kemi dhjetë seanca të pambyllura të sesionit vjeshtor, që ka filluar nga 15 shtatori i vitit të kaluar me ato dhjetë seanca përmbajnë dhjetëra pika të cilat kanë mbetur për shqyrtim për votim, pika jashtëzakonisht të rëndësishme që ndërlidhen me projektligje të rëndësishme e që padyshim një pjesë e tyre prekin direkt jetën qytetarëve”, ka thënë Tahiri.

Back to top button