Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2019 si dhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2019.

Anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila tha gjithashtu se po presin raportin final lidhur me tragjedinë në minierën e Artanës ku humbën jetën dy minatorë.

Paraprakisht, anëtari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Kemajl Zeqiri pas përfundimit të mbledhjes së komisionit tha se sfidat e kryesore janë teknologjia e vjetër e operatorëve minerarë, pastaj kemi operuesit ilegalë.

Ai tha se si KPMM kanë kërkuar lirimin e zonave me interes të cilat tash e 10 vite janë të bllokuara.

Sektori minerar shoqërohet me sfida të ndryshme sepse vetë industria minerare i ka specifikat e veta. Sfidat e kryesore janë teknologjia e vjetër e operatorëve minerarë, pastaj kemi operuesit ilegal. Dhe sfida të ndryshme dhe koleksione të ndryshme ligjore…01’54 Kemi kërkuar lirimin e zonave me interes ose zhbllokimin e zonave me interes të cilat për 10 vite janë të bllokuara në mënyrë që të ftojmë investitorët të cilët janë jashtëzakonisht të interesuar për investim në këto zona dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë zhvillimin ekonomik dhe përballjen me operimet e jashtëligjshme”, theksoi ai.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se funksionalizimi i zonave strategjike mbetet problem për sektorin minerar.

Sipas saj ky sektor po ballafaqohet edhe me vonesa në trajtimin e lëndëve nga ana e gjyqësorit.

Si prej çështjeve me rëndësi është funksionalizimi i zonave strategjike, zona këto që nuk kanë arritur të funksionalizohen, gjithashtu vlerësohet se ka mungesë të dakordimit të institucioneve relevante për përshpejtim të investimeve në përgjithësi në Kosovë…Është përmendur rasti për mos bashkëpunim i Agjencionit për Sekuestrim dhe Konfiskim të mallrave, pasi që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale kur has në ata që e shkelin ligjin inspektorati ka tërheqjen e pajisjeve ka rezistencë nga Agjencioni dhe në këtë rast nuk është në rregull dhe është dashur të kërkohet edhe interpretimin e kryeinspektorit të shtetit. Ka vonesa në trajtimin e lëndëve, ndërkaq është çështja e rikuperimit të hapësirave të cilat pas eksploatimit duhet të kthehen në gjendjen e tyre”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se po presin raportin final lidhur me tragjedinë në minierën e Artanës e cila ndodhi në javën e kaluar dhe ku humbën jetën dy minatorë.

Sipas saj është e rëndësishme të shihet gjendja e minierave aktive dhe potenciali i rrezikut në miniera.

Komisioni është duke pritur raportin final për rastin e fatkeqësisë në vendin e punës në minierën e Artanës, gjithashtu kemi kërkuar më tepër informacione mbi sigurinë në punë. Është tepër e rëndësishme që të shihet niveli i gjendjes të minierave tjera aktive dhe potenciali i rrezikut me të cilën ballafaqohen minatorët që janë në vendin e punës dhe të kërkohet më tepër vëmendje nga Inspektorati i Punës dhe standardet e punës të jenë të vlerësuara. Nuk mund të paragjykojmë në atë se çka e ka shkaktuar tragjedinë në Artanë, pritet raporti”, theksoi ajo.

Komisioni për Ekonomi gjatë kësaj mbledhje ka formuar grupin punues për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të KOSTT-it./KP