Themelohet komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore

(Lajm i përditësuar)

Në Kuvendin e Kosovës sot është miratuar themelimi i komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Këtë komision do ta drejtojë deputeti i PDK’së, Rashit Qalaj, ndërsa nënkryetare do të jetë deputetja e LDK’së, Valentina Bunjaku.


Kusari-Lila- opozitës: A po doni zgjedhje a s’po doni

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka komentuar deklaratat e Arben Gashit i cili tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“A po doni zgjedhje, a s’po doni zgjedhje. A po doni 6 muaj të bëhemi vec hetues”, ka thënë ajo.

Sipas saj, grupet e opozitës nuk marrin pjesë në votime sepse kërkojnë zgjedhje.


Selmanaj i replikon Kusarit: Unë s’kisha nejt në Kosovë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila gjatë diskutimit dhe replikave që ka pasur me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, e i cili ka përmendur përgjimin rreth bisedës që Kusari-Lila ka pasur me Milan Radojicicin.

“Z. Selmani E boni një kollazh të përgjimeve të publikuara. Në cilën instancë është diskutu pensioni i veteranëve me dikënd të parapolitikës. Asnjë. Ato janë interpretime fashiste të individëve me agjendë. Ato s’kanë dalë nga ai diskutim. Ato janë interpretime mbi të cilat është ndërtu ky paragjykim”, ka thënë Kusari-Lila.

Pas saj e ka marrë fjalën deputeti Selmanaj, i cili është zgjuar në këmbë duke thënë se dëshiron ta shoh deputeten Kusari-Lila teksa flet.

“U çova në këmbë me e pa deputeten. Z.Deputete të kuptoj. Për besë mem pas dalë mue qato që tkanë dalë ty, unë në Kosovë s’kisha nejt. Keni ra në kurthën që ua keni ndërtu të tjerëve në vazhdimësi, përfshirë edhe mua. Por keni rënë vet, e ia pafshi hajrin kësaj pune edhe përgjimeve tjera që mund të dalin nesër“, ka thënë Selmanaj

 


Opozita dhe pushteti përplasen lidhur me komisionin hetimor për rezervat shtetërore

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se duhet bërë hetim i thellë parlamentar lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

“Duke pas parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzimet e mundshme e konsiderojmë që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Mandati i këtij komisioni duhet të jetë sipas ligjit, 6 muaj. Nëse kërkohet më shumë kohë atëherë vendos Kuvendi”, ka thënë ai.

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është hap i ngutshëm kërkesa për hetim parlamentar.

Sipas saj, më datën 18 gusht në mënyrë spektakulare janë arrestuar 2 persona pranë MINT-it dhe një person apo subjekt afarist.

Gashi duke replikuar me Kusari-Lilën ka thënë se Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk kërkon dokumente prej Prokurorisë.

Kusari-Lilës i ka reaguar edhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Ai ka thënë se arsyetimet e saj janë banale. “Mos të them të paarsyeshme, por janë banale për një institucion më të lartë shtetëror. Po të them se lidhje nuk ka komisioni hetimor me procesin gjyqësor. Mos u frikësoni nga e vërteta. E vërteta na shërben të gjithëve. Po duam ta dimë secili cent i këtij populli ku po shkon. Kush është Ridvani, kush është Martini?”, është shprehur Selmanaj.

Shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja e mbështetë këtë iniciativë, por nuk është iniciues.

Ai tutje ka thënë se duhet të hetohet rrjedha e mbledhjes online të Qeverisë së Kosovës më 26 dhejtor 2022 për rezervat shtetëtore.

“Është shumë e rëndësishme me pas Komision Hetimor Parlamentar. Qeveria ka mbajtur mbledhje online, dhe neve na duhet t’i shohim argumentet që janë dhënë, sepse edhe baza ligjore është gabim”, ka potencuar Tahiri.


Miratohet projektligji për parandalimin e dhunës në familje

Në shqyrtim të dytë është miratuar Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Për miratimin e këtij projektligji kanë votuar 62 deputetë. S’kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.


Dështon votimi i një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend, PDK e AAK s’marrin pjesë në votim

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka dështuar shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B” ka dështuar në seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk pati vota të mjaftueshme.PDK-ja e AAK-ja nuk votuan, ndërsa LDK-ja votoi për pasi e konsideroi si “projekt jetik për Kosovën”.

Kuvendi nis me një minutën heshtje në përvjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancat e planifikuara për sot me një minutë heshtje në nderim të kolonelit Ahmet Krasniqi.Sot shënohet 25-vjetori i vrasjes së kolonel Krasniqit në Tiranë.

Kuvendi sot me tri seanca plenare, njëra për rezervat shtetërore

Kuvendi i Kosovës sot do t’i mbaj tri seanca plenare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca e parë parashihet të mbahet në orën 10:00, që është vazhdim i seancës së kaluar plenare, ku do diskutohen pikat e papërfunduara.

Ndërsa seanca e dytë pritet të fillojë në ora 13:00. Rendi i ditës i kësaj seance është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Kurse seanca e tretë ka këtë rend dite: Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Po ashtu në këtë seancë janë edhe këto pika: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Back to top button