Deputetja, Mimoza Kusari-Lila, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Kusari-Lila në një postim në Facebook ka shkruar se pranvera kësaj radhe po vjen më herët në Kosovë.

“Sonte në natën më të gjatë të vitit, erdhi drita e shpresës për fitoren e drejtësisë mbi të padrejtën, e punës mbi mashtrimin dhe kthimit të vullnetit të qytetarëve aty ku e ka vendin, në institucionet legjitime të shtetit.  Sonte u përmbys përfundimisht qëllimi dhe plani i mashtruesve dhe pazarxhive.  Nuk ka rrugë të shkurtër për te suksesi dhe as bypass për te pushteti.  Kush e mendon ndryshe e gjen atë që e meriton, shkarkimin dhe dënimin nga qytetarët sot dhe gjykimin nga historia nesër. Kosovë, pranvera po të vjen më herët kësaj radhe!”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor./21Media