Kusari-Lila shpreh ngushëllime familjes së Armenda Velijajt

Kusari-Lila shpreh ngushëllime familjes së Armenda Velijajt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari -Lila ka thënë se vrasja e fundit mbrëmë në Prizren e Armenda Velijajt nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte në Zvicër, tregon se problemi është më i thellë në shoqërinë tonë se sa vetëm reagimi i momentit. 

Në një postim në Facebook, Kusari- Lila ka bërë të ditur se vrasjet e grave në familje prej vitit 2017 në 2018 në Kosovë, shënuan rritje për 50%.

“Nga 4 gra të vrara në familje në 2017, 6 gra u vranë në vitin 2018.  Me kob ka filluar edhe viti 2019, kur menjëherë pas mesnate me 1 Janar u vra viktoma e parë nga burri i saj në Gjilan. Familja, streha më e sigurt për secilin njeri, po gllabëron jetë grashë në Kosovë. Vrasja e fundit mbrëmë në Prizren e Armenda Velijajt nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte në Zvicër, tregon se problemi është më i thellë në shoqërinë tonë se sa vetëm reagimi i momentit”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se jeta e Armendës u shua parakohe nga 15 plumba, fakt që e tregon se dhuna dhe nxitja e saj ndaj grave ka rrënjë më të thella në shoqërinë tonë.

Lidhur me trajtimin e këtij fenomeni, Kusari- Lila ka thënë se përveç se me masa dhe sanksione të shtuara ligjore, duhet të ketë çasje më holistike.

“Prej edukimit në shkolla, familje, komunitet dhe kampanja të vazhdueshme për ndalim të dhunës në baza gjinore.  Çasja në armë dhe inkurajimi në posedimin e tyre gjithashtu shton mundësitë e ngjarjeve tragjike”, ka thënë Kusari- Lila.

Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqëve të viktimës.

“Ngushëllime familjes dhe miqëve të viktimës, qoftë e fundit e vrarë mizorisht. Ne si shoqëri, të punojmë të gjithë për të ndalë këtë dukuri të rëndë në rritje në shoqërinë tonë”, ka shkruar Kusari Lila në Facebook.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren tha sot se ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje.

Në vendin e ngjarjes është pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkaq Policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit.

Të dyshuarit për vrasjen e Armendës i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë./21Media