Pasi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është në gjendje të përkeqësuar shëndetësore dhe tashmë disa ditë është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, vihet në pikëpyetje edhe thirrja e seancës konstitutive të Kuvendit.

Edhe pse tri testet për koronavirus kanë dalë negative, ai ende është në mjekim spitalor, kurse, siç pohojnë na Kabineti i tij, nuk bëhet fjalë për koronavisur, por vetëm për lodhje. Me këtë, mbetet e paqartë nëse kryeparlamentari, Xhaferi do ta caktojë seancën konstitutive. Edhe pse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i zyrtarizoi rezultatet zgjedhore, megjithatë, nga Kabineti i Xhaferit për TV21 thanë se – më me siguri do të mbetet afati i fundit, respektivisht 4 gushti.

“Testet të cilat kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i ka bërë për koronavirus janë negative, por ai ende ndjehet i lodhur, ndoshta edhe për shkak të fushatës zgjedhore. Prandaj akoma nuk kemi informacione se kur do të thirret seanca konstitutive në përbërjen e re të Kuvendit, por ka kohë deri më 4 gusht, kur është edhe afati i fundit”, thanë nga Kabineti i Talat Xhaferit. 

Në rast se Xhaferi nuk e mban seancën, në Nenin 9 të Rregullores së Kuvendit thuhet se këtë mund ta bëjë deputeti më i moshuar nga përbërja e re, në këtë rast – Stojan Millanov.

“Nëse mbledhjen e parë të Kuvendit nuk e thërret kryetari në largim, mbledhja mbahet në ditën e njëzetenjëtë nga dita e përfundimit të zgjedhjeve, në orën 10:00, ndërkaq të njëjtën e thërret deputeti i zgjedhur më i vjetër në moshë. Mëse edhe ai refuzon ta thërrasë, kjo e drejtë i kalohet deputetit të zgjedhur të radhës për nga mosha, deri në deputetin e zgjedhur, i cili do të pajtohet që ta thërrasë mbledhjen e parë”, bëhet e ditur në rregulloren e Kuvendit.

Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, mbetet e paqartë edhe prezenca e Xhaferit në Krushevë më 2 gusht, ku duhej ta udhëhiqte delegacionin në manifestimin qendror të shënimit të Kryengritjes së Ilindenit. Siç thanë nga Kabineti i tij, do të dihet deri të premten – nëse ai do të udhëtojë në Krushevë, ku është paraparë të mbajë fjalim me rastin e 117-vjetorit të Ilindenit. Tani për tani shërbimet qeveritare nuk zbulojnë nëse janë paraparë ndryshime dhe kush do të mund ta zëvendësojë kryeparlamentarin, raporton TV21./21Media