Kush është i obliguar t’i japë fitrat, tregon Hoxhë Ilmi Rexhepi

“Nga fundi i muajit Ramazan besimtarët japin fitrat (vitrat) që i kanë si obligim që u shtrohet me rastin e muajit të Ramazanit”, kështu ka bërë të ditur për rtv21.tv Hoxhë Ilmi Rexhepi, i cili ka treguar se cilët besimtarë janë të obliguar që t’i japin fitrat.
“Secili mysliman për vete dhe për anëtarët e ngushtë të famijes, të cilët i ka në varësi të vet ekonomike. Parapëlqehet të jepet fitri edhe për fetusin (fëmijën në barkun e nënës) që ka mbushur 40 ditë e më shumë.”, ka informuar ai.
A ka ndonjë rrethanë ekonomike nga e cila të kushtëzohet obligimi për fitrat?
Rexhepi ka deklaruar se fitri dallon nga zekati mbi pasurinë.
“Fitri nuk është lloj tatimi mbi pasurinë, por mbi vetë personin. Prandaj, secili mysliman që ka aq sa i mbulon nevojat e veta e të familjes së vet për Ditën e Bajramit dhe i tepron nga kaq aq sa mund të japë fitrin, obligohet që ta japë fitrin. Madje, kështu ndodh që një personi t’i takojnë fitrat dhe, pasi t’i ketë marrë, t’i bëhet edhe këtij obligim dhënia e fitrit.”, ka treguar ai, duke shtuar se në ditët e sotme, rrallëkush mund të jetë i liruar nga ky obligim.
Sadakat-ul Fitri (Zekati i Fitrit) - Ardhmeria Online
A jepet fitri edhe për ata që kanë vdekur në Ramazan?
Hoxha Ilmi Rexhepi ka theksuar për rtv21.tv se fitri nuk jepet për ata që kanë vdekur në Ramazan. Sipas tij, për t’iu bërë fitri i obligueshëm një personi, duhet që atë ta zërë të gjallë koha e agimit të Ditës së parë të Bajramit të Fitrit.
Kush e përcakton vlerën, kur dhe kujt duhet t’i jepen fitrat?
Rexhepi ka deklaruar se përcaktimin në vlerë monetare të fitrit te ne e bën Bashkësia Islame e Kosovës dhe këtë vit vlera monetare minimale e fitrit është dy euro, “por, varësisht nga dëshira dhe gjendja jonë ekonomike, mund t’i japim edhe në vlerë të 3, 5 dhe 10 eurove”.
Nëse nuk jipen fitrat me kohë a pranohen si fitër, apo si lëmoshë e rëndomtë? | Besimtari
Ai ka treguar se obligimi i fitrave nga besimtarët mund të kryhet që nga dita e parë e Ramazanit.
“Fitrat bëhen obligim, siç e përmendëm më herët, në kohën e agimit të Ditës së parë të Bajramit të Fitrit, por këtë obligim mund ta kryejmë paraprakisht që prej ditës së parë të Ramazanit. Te ne është bërë zakon që fitrat t’i japim nga nata 27 (dita 26) e Ramazanit e deri në Natën e Bajramit (ditën e fundit të Ramazanit). Pas faljes së Namazit të Bajramit, vlera e fitrit bie dhe ajo që japim quhet sadaka e lirë. Atyre të cilëve u takon zekati, u takojnë edhe fitrat. “, ka bërë të ditur Hoxha, sipas të cilit, janë 7 kategori të përcaktuara me Kuran, të cilave u takojnë zekati dhe fitrat.
“Nuk është mirë që fitrat të shkojnë jashtë vendit. Te ne është, si të thuash, konvencion popullor që një pjesë t’u japin fitrat drejtpërdrejt të varfërve dhe një pjesë tjetër t’i japin për medresenë “Alaudin” dhe për Fakultetin e Studimeve Islame nëpërmjet organizimit të Bashkësisë Islame që e bën nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës. Vetëm Bashkësia Islame ka tagrin që të mbledhë fitra në mënyrë të organizuar.”, ka treguar ai.
Cili është morali i fitrave?
Hoxhë Rexhepi ka potencuar se moralin e fitrave e ka treguar vetë i Dërguari a.s., i cili ka shpjeguar se fitri është edhe si pastrim-kompensim për lëshimet eventuale që mund të ketë bërë agjëruesi gjatë agjërimit në Ramazan e edhe si solidaritet e ndihmesë për ata të cilëve u jepen fitrat.
“Raporti i agjërimit me sadakanë është raport dialektik. Kur etet e uritet duke agjëruar besimtari, kujtohet për atë që ka etje e uri nga halli. Pra, agjërimi e predispozon sadakanë, ndërkaq sadakaja, nga ana e vet, agjërimin e pastron dhe e mirëmban.”, ka shtuar ai.
Zakat on Government Loan - SeekersGuidance
Ndër të tjera, Hoxhë Ilmi Rexhepi ka treguar se pse është i veçantë 10 ditëshi i fundit i Ramazanit dhe se çka këshillohet të bëjnë besimtarët.
Kujtojmë që, në muajin e Ramazanit besimtarët myslimanë janë të obliguar të agjërojnë 30 ditë pa ndërprerë, nga agimi në mbrëmje, duke plotësuar një nga pesë shtyllat kyçe të fesë Islame. Përveç ngrënies dhe prijes, myslimanëve gjatë agjërimit u ndalohen edhe disa gjëra të tjera, që shpjegohen sipas fesë Islame. Muaji i Ramazanit konsiderohet si muaj i mëshirës, solidaritetit, mirëqenies, ndihmesës etj.
Muaji i Ramazanit ka filluar më 2 prill (e shtunë) dhe do të përfundojë më 1 maj (e diel). Dita e parë e Fitër Bajramit është më 2 maj (e hënë)./21Media

Back to top button