Poezi nga autori i njohur shqiptar

Ali Podrimja është lindur më 28 Gusht, 1942 në Gjakovë. Ai është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si poet me emër dhe në shkallë kombëtare.

Më 18 korrik të vitit 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të parreshtura të autoriteteve franceze, me 21 korrik të vitit 2012, ishte gjetur trupi i pajetë i shkrimtarit. Ali Podrimja ka vdekur në rrethana të panjohura./21Media

KUSH PREKU FUNDIN E DETIT

Bukuria nuk është bukuri
Nëse nuk e ka shëmtinë e vet
E kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh

Vdekja secilit i takon.
Bari rritet e harrimi na arrin
Se kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh

Mjaft kurrë nuk është një kohë
Të lindësh, të jetosh
Dhe të vdesësh

Është një det në jetën tonë
Ku lypsen thellësi e vite drite
Të biesh në fund të një shpirti

T’ia zbulosh vetëveten botës, njerëzve
Po kush preku fundin e detit
nuk është mes nesh.