Sipas Haradinajt, shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut bëri diferencën, shkëputjen e epokave

Sipas Haradinajt, shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut bëri diferencën, shkëputjen e epokave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar 28 vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut. Sipas Haradinajt, kjo kushtetutë shënohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

Përmes një postimi Haradinaj është shprehur se shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut do të kujtohet gjithmonë.

“Ky akt i guximshëm që i kontribuoi fuqishëm ndërkombëtarizimit të të drejtës sonë, zë vend meritor në kujtesën shtetërore, sepse bëri diferencën, shkëputjen e epokave. Mirënjohje të thellë delegatëve të Shtatë Shtatorit, që në kohë të vështirë, firmosen vullnetin e popullit tonë dhe vunë gurthemelin e Kosovës së pavarur. Do të kujtohen përherë nga brezat për përpjekjen e tyre në rrugën e gjatë të lirisë”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Më 07 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./21Media