Kurti deklaroi se kushtetueshmëria duhet të respektohet çdo ditë

Kurti deklaroi se kushtetueshmëria duhet të respektohet çdo ditë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot u shpreh se Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

Kurti në 12 vjetorin e miratimit të Kushtetutës shkroi se kushtetuta duhet të respekohet çdo ditë.

“Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë.”, shkroi Kurti në facebook.

Ai u shpreh se do ta respektojnë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës.

“Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit.”, shtoi më tutje Kurti.

Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit./21Media