Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi përbërjen e Qeverisë teknike

Me 101 vota “për”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka zgjedhur përbërjen e Qeverisë teknike

Kryeministër teknik është zgjedhur Oliver Spasovsli nga LSDM-ja dhe ministër i Punëve të Brendshme, Naqe Çullev nga VMRO-DPMNE-ja.

“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që duhet ta ketë Qeveria për realizim të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike”, tha Spasovski i cili më pas bëri thirrje që VMRO-DPMNE-ja të dëshmojë me vepra se është për zhvillim të demokracisë, e jo vetëm të deklarojë broçkula.

Me Qeverinë teknike, ndryshime ka Ministria e Punëve të Brendshme të cilën do ta udhëheq, Sllavjanka Petrovska (LSDM) dhe për Punë dhe Politikë Sociale, Sanella Shkrijelj(LSDM). Ministrja e deritashme Sociale, Mila Carovska do të jetë zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike në vend të Koço Angjushevit.

Me Marrëveshjen e Përzhinos, VMRO-DPMNE-ja në Qeverinë teknike do të ketë edhe ministër të Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, zëvendësministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Nevenka Stamenkovska Stojkoski dhe për Bujqësi, Cvetan Trifunovski.

Zëvendësministrat do të votohen në seancën tjetër plenare që do të mbahet gjithashtu sot.

Votimi në Kuvend erdhi pasi Oliver Spasovski mori mandatin për formim të Qeverisë teknike nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Rruga për formimin e Qeverisë teknike u hap me dorëzimin e dorëheqjes nga posti i kryeministrit, të Zoran Zaevit dhe vjen 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 12 prill të 2020-s./21Media

Back to top button