Kuvendi zgjedh anëtarin e KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike

(Lajm i përditësuar)


Kuvendi zgjedh anëtarin e KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike

Emine Avdyli Pozhari dhe Dardan Vuniqi kanë qenë dy kandidatët për anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike. Kuvendi i Kosovës zgjodhi Dardan Vuniqin me 49 vota, i cili do të ketë mandat pesë-vjeçar.

Në seancën e sotme plenare, me votë të fshehtë deputetët kanë votuar për Emine Abdyli Pozharin nga Universiteti i Prishtinës dhe Dardan Vuniqin nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.

Pas votimit, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka treguar për numrin e votave nga dy kandidatët.

“Votat e fituara për kandidatët e propozuar për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Fakultetit Juridik të Republikës së Kosovës janë: në votim kanë marrë pjesë gjithsej 90 deputetë, të pavlefshme janë pesë fletëvotime. Emine Abdyli Pozhari ka fituar 36 vota, Dardan Vuniqi ka fituar 49 vota”, tha ajo.


Kuvendi voton Remzie Zeqirajn komisionere parlamentare për FSK-në

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur komisionere parlamentare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Remzie Zeqirajn. Pas dy raundeve të votimit, ajo ka marrë 49 vota, ndërkaq Fadil Hadergjonaj 43 vota.

Mandati i komisioneres parlamentare është pesëvjeçar.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha njoftoi për kandidatët e propozuar nga komisioni funksional.

“Komisioni Funksional për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në pajtim me dispozitat e Ligjit numër 08L133 ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e komisionerit parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në përfundim dhe sipas rezultatit vlerësues tre kandidatët më të suksesshëm për votim në seancën e kuvendit janë si në vijim: Sami Hajrullahu 89 pikë, Fadil Hadergjonaj 88 pikë, Remzie Zeqiraj 85 pikë”, tha ai.

Deputetja Albana Bytyqi ka prezantuar numrin e votave për secilin kandidat për komision parlamentar të FSK-së.

“Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë katër fletëvotime, ndërsa kandidatët Remzie Zeqiraj ka marrë 49 vota, ndërsa Fadil Hadergjonaj 43 vota”, ka njoftuar ajo.


Kuvendi zgjedh Jeton Bytyqin gjyqtar në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Jeton Bytyqi, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Në procesin e votimit morën pjesë 96 deputetë, ku Bytyçi mori 69 vota. Emri i tij tash do t’i propozohet për dekretim presidentes Vjosa Osmani.


​Kuvendi propozon Jeton Bytyqin si gjyqtar në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës e ka propozuar për kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Jeton Bytyqin. Ky i fundit ka marrë 69 vota nga deputetët, i cili më pas duhet të emërohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se për këtë pozitë kanë aplikuar katër kandidatë. Ai tha se dy kandidatët e propozuar nga komisioni i posaçëm janë Jeton Bytyqi e Selman Ymeri.

“Nga data e publikimit të konkursit 6 deri më 25 tetor, për një pozitë për gjyqtarin në Gjykatën Kushtetuese kanë aplikuar katër kandidatë, si në vijim: Selman Ymeri, Ramadan Gashi, Jeton Bytyqi dhe Çlirim Hajdini. Në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me kushtetutë dhe ligj të katër kandidatët i plotësuan kushtet për tu përzgjedhur gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni në lidhje me vlerësimin e kandiatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese vendosi që të bëhet vlerësimi përmes intervistimit me gojë”, tha Rrustemi.

Pas votimit të fshehtë të deputetëve, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi tha se Jeton Bytyqi ka marrë 69 vota.

“Në votim kanë marrë pjesë 96 deputetë, të pavlefshme janë tetë fletëvotime, ndërsa votat e fituara për kandidatët e propozuar janë: Jeton Bytyqi ka fituar 69 vota, ndërsa Selman Ymeri ka fituar 19 vota”, ka njoftuar ajo


​Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Kuvendi ka zgjedhur Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. 63 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se mandati i të treve është katër-vjeçar.

“Konstatoj që kuvendi me 63 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim i zgjodhi anëtarët e Këshillit të Cilësisë….Kuvendi me këto vota e zgjedh Mirlinda Batallin, Avni Berishën dhe Jetmir Haxhibeqirin si anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Mandati i tyre është katër-vjeçar”, ka njoftuar kryeparlamentari Konjufca.

Kuvendi po shqyrton propozimin për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Back to top button