Kylie Jenner kohët e fundit ishte në shënjestër të reagimeve pasi u akuzua për mos dhurimin e ‘mjaftueshëm’ të një shume parash në GoFundMe për të ndihmuar mikun e saj të sëmurë.

Por ylli televiziv, 23 vjeçe, mund t’i ketë bërë të heshtin kritikët e saj pasi u zbulua të mërkurën se ajo dhuroi 500 mijë dollarë për Spitalin e Fëmijëve “Monroe Carell Jr.” në Vanderbilt me vendndodhje në Nashville, Tenesi, shkruan DailyMail.

Dhurimi i majmë i Jennerit, si dhe ndihma monetare e dhënë nga Roger Daltrey dhe Teen Cancer America e Pete Townshend, shkuan drejt ndërtimit të një hapësire për pacientët, të quajtur “Hey, I’m Here For You Teen Lounge”.

Spitali i Fëmijëve “Monroe Carell Jr.”, shpesh i referuar si Spitali i Fëmijëve Vanderbilt, përshkruhet si ‘një nga spitalet kryesore të fëmijëve në vend dhe më i madhi në juglindje’ që merret me sëmundjet ‘e thjeshta deri tek ato më komplekse’.

Kylie bëri donacionin e saj bujar 500 mijë dollarë për nder të mikut të saj të vjetër dhe muzikantit Harry Hudson, i cili u diagnostikua me limfoma të Hodgkin në vitin 2013.

Drejtoresha e përgjithshme e ‘Kylie Cosmetics’ ishte pranë Hudson ndërsa luftonte me kancerin e sistemit limfatik, të cilin me sukses e kapërceu.

“Unë jam shumë mirënjohës për miqësinë e Kylie-t dhe ndikimin që ajo ka pasur në jetën time dhe udhëtimin tim ndaj kancerit. Ajo ka qenë gjithmonë aty për mua dhe së bashku, ne donim të gjenim një mënyrë për të qenë atje për të rinjtë e tjerë që po luftojnë me këtë sëmundje”, tha Hudson në një njoftim për shtyp.

“Me ndihmën e “Teen Cancer America”, ne ishim në gjendje të kontribuojmë në ndërtimin e sallës së parë për adoleshencë të quajtur ‘Hey, I’m Here For You’ në Spitalin e Fëmijëve në Vanderbilt – një hapësirë e përshtashme për të rinjtë që i nënshtrohen trajtimit me qëllim që ata të ndjekin pasionet e tyre”, shtoi ai./21Media