Skuadrat e La Liga këtë të hënë nisën stërvitjet e tyre kolektive me futbollistët që u ndanë në grupe me nga 10 lojtarë secili duke bërë një hap tjetër drejt rifillimit të kampionatit.

Futbollistët e Barcelonës, Realit të Madridit apo Atletico Madrid u kthyen në qendrat e tyre stërvitore për të vijuar punën.

Protokolli i qeverisë spanjolle i lejon klubet që të zgjerojnë seancat stërvitore në të gjitha zonat që do të thotë se klubet si Real e Atletico Madrid e Barcelona mund të stërviten në grupe me nga 10 lojtarë edhe pse Madridi dhe Katalonja janë ende në ‘fazën 0’ si dy zonat më të goditura nga coronavirusi në Spanjë.

Është një vendim i ministrisë-tha presidenti i La Ligës Javier Tebas në një intervistë ditën e dielë teksa konfirmoi dëshirën e tij për të zhvilluar 11 javët e mbetura të sezonit. Ai caktoi si datë ideale për rifillimin e kampionatit 12 qershorin, por shtoi se gjithçka do te varet nga autoritetet shëndetësore në Spanjë dhe trajektorja e virusit.

Presidenti i La Liga, vlerësoi gjithashtu se një anulim i pjesës së mbetur të sezonit në futbollin spanjoll do të kushtojë rreth 1 miliard Euro.

Spanja është një prej vendeve më të prekura nga coronavirusi në botë me mbi 231 mijë të prekur dhe mbi 27 mijë persona të vdekur.